Virtual Albanian European Universities Exchange (VALEU-X) është projekti në kuadrin Erasmus+ mbështetur nga Komuniteti Europian ku është përfshirë prej gati dy vitesh edhe Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Në datat 23-27 shtator 2021 u organizuan dy aktivitete shumë të rëndësishme të projektit, Forumi i Dytë i Expertëve (2nd Expert Forum) dhe takimi i ndërmjetëm (Mid-Term Meeting) ku brenda tyre u inkorporuan shumë takime e trajnime të tjera me pjesëtarë të projektit, staf akademik, staf administrativ e studentë. Mikëpritës ishte Universiteti i Durrësit “Aleksandër Moisiu”. Takimet u zhvilluan me prezencë fizike të ndërthurur edhe me pjesëmarrje virtuale. Nga universiteti ynë grupi kryesohej nga Rektorja e universitetit Prof. dr. Suzana Golemi dhe merrnin pjesë anëtarë të stafit akademik, profesorët që janë trajnuar si e-tutor, staf administrativ dhe studentë. Ishin takime mjaft frytdhënëse në lidhje me vazhdimësinë e projektit. Morën pjesë partnerët ndërkombëtarë dhe ato vendas, duke filluar me Universitetin Teknik të Dresdenit në Gjermani (Technische Universität Dresden), Shkollën Ndërkombëtare për Studime Sociale dhe Biznesi në Slloveni (International School for Social and Business Studies, ISSBS), Unionin e Universiteteve Mesdhetare në Itali (Mediterranean Universities Union, UNIMED), Universitetin Europian të Tiranës, Universitetin “Epoka”, Universitetin e Durrësit, Universitetin e Shkodrës, Universitetin e Elbasanit dhe Universitetin e Korçës.
Në ditën e parë u zhvillua Mid-Term Meeting në të cilin u diskutuan çështje që lidheshin me statusin aktual të projektit i kryesuar nga profesori Prof. Dr. Eric Schoop përfaqësues i liderit ndërkombëtar të këtij projekti, Universitetit Teknik të Dresdenit (Technische Universität Dresden, Gjermani) , Sigurimin e Cilësisë për të cilën kujdeset Shkolla Ndërkombëtare për Studime Sociale dhe Biznesi në Slloveni (International School for Social and Business Studies, ISSBS). Një pikë tjetër e rëndësishme ishte prezantimi i punës së bërë për përhapjen dhe reklamimin e projektit të kryesuar nga Unioni i Universiteteve Mesdhetare në Itali (Mediterranean Universities Union, UNIMED). Më pas u kalua në prezantimin e punës së bërë nga të gjithë partnerët për përgatitjen e Moduleve Pilot me metodologjinë e të Mësuarit Virtual Bashkëpunues (VCL). U prezantua edhe puna e universitetit tonë për dy modulet “Botanikë” (Fakulteti i Shkencave të natyrës) dhe “Psikolinguistikë” (Fakulteti i Shkencave Shoqërore), të cilat do të zhvillohen gjatë semestrit të dimrit me studentët e cilit të parë Bachelor. U paraqit metodologjia, koha e zhvillimit, tematikat, e këtyre moduleve dhe në çdo hap u diskutua dhe u konsulua me expertët.
Pati nga të gjithë partnerët diskutime të vyera për të mësuarit virtual bashkëpunues, shkëmbimet virtuale, digjitalizimin e mëtejshëm të procesit mësimor
Me këtë rast u vizitua edhe Laboratori i ngritur në Universitetin e Durrësit me mbështetjen e këtij projekti, laborator i cili do të përdoret për modulet që do të realizohen me metodologjinë e të mësuarit virtual.
Dita e dytë ishte e ndarë në dy aktivite të rëndësishme, trajnimin rreth të mësuarit bashkëpunues virtual për studentët dhe për e-tutorët, ndërsa pasdite u zhvillua trajnimi me stafin administrativ. Një pjesë e studentëve dhe e stafit tonë adminstrativ ishte prezente në sallë, një pjesë po e ndiqte virtualisht. Dita e tretë nisi me çështje që lidhen me të mësuarit virtual bashkëpunues për stafin akademik, ndërsa pasditja u zhvillua në mjediset e Univetisteti “Epoka” ku u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit mes universiteteve partnere,. Për universitetin tonë marrëveshja u nënshkrua nga Rektorja, Prof. dr. Suzana Golemi. Më tej u zhvillua një tjetër takim u ndërmjetëm dhe u vizituan ambientet e Laboratorit Virtual në këtë universitet. U diskutuan çështje të organizimit të Forumit të Ekspertëve III, trajnimeve të studentëve dhe e-tutorëve në Dresden etj.
Dita e katërt u përmbyll me një takim të ndërmjetëm dhe u zhvilluan diskutime dhe reflektime rreth Forumit të Ekspertëve II.
Në ditën e pestë u zhvillua Forumi hibrid përfundimtar i ekspertëve dhe motivimi dhe sinergjia që duket gjetur për vazhdimësinë e projekteve që kanë në qendër të mësuarit virtual.
Për më shumë informacion në lidhje me Projektin VALEU-X mund të vizitoni faqen e projektit: https://valeu-x.eu/