Departamenti i Letërsisë në Fakultetin e Shkencave Shoqërore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, organizoi më 5 korrik 2020 tek Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës diskursin letrar “Letërsia shqipe dhe tranzicioni”.
Të pranishëm në takim ishin zëvendësrektorja e Universitetit të Shkodrës prof.as.dr. Paulina Guli, pedagogë të departamentit të Letërsisë, shkrimtarë të qytetit të Shkodrës si dhe të ftuar që vuajtën periudhën e tranzicionit në Shqipëri.
Takimi u moderua nga prof.as.dr. Valbona Karakaçi, anëtare e departamentit të Letërsisë, e cila vuri në dukje që përmes këtij aktiviteti publiku të marrë një rol prijës kulturor drejt vlerave të mirëfillta estetike të krijuara gjatë kësaj periudhe në letërsinë dhe artin bashkëkohor shqiptar.
Prof.as.dr. Paulina Guli, në fjalën e saj, falënderoi departamentin për iniciativën e ndërmarrë në promovimin e ngjarjeve që kanë shënuar historinë në vitet e tranzicionit në Shqipëri e jo vetëm por të ringjallim së bashku vlerat dhe misionin që mbart libri.
Veçanërisht i angazhuar në këtë diskurs letrar ishte prof.as.dr. Arben Prendi botuesi dhe përgjegjësi i departamentit të Letërsisë i cili solli përmes studimit të tij njeriu i tranzicionit përmes romaneve të Kongolit. Pasojat e njeriut të tranzicionit burojnë nga periudha e diktaturës komuniste. Fatos Kongoli në fokus të romaneve të veta nuk përfaqëson të gjithë shoqërinë, por një kategori njërëzish që vuajnë pasojat traumatike të regjimit komunist që nuk i lejon të jetojë as në periudhën e tranzicionit. Shumica e personazheve në romanet e Kongolit mbartin në vetvete një pjesë të mozaikut të dramës që ka kaluar shoqëria shqiptare gjatë regjimit komunist dhe në periudhën e gjatë të tranzicionit, u shpreh studiuesi Arben Prendi.
Gjatë takimit, në sallë ishin ndarë disa shënime dhe perifrazime të shkëputura nga veprat e Fatos Kongolit, ku nuk munguan shpjegimet dhe komentet e pedagogëve të pranishëm në diskursin letrar.
Gjithashtu, i ftuar për të promovuar librin “Njeriu i ri”, ishte prof. as. dr. Albert P. Nikolla, i cili shpjegoi rëndësinë e të kuptuarit të ideologjisë së njeriut gjatë periudhës së tranzicionit. Sa më shumë që lexon veprën “Njeriu i ri” aq më shumë shkon drejt një kujtese të rrëmuajshme, u shpreh Nikolla.
Ky takim do të vijojë me aktivitete të tjera të konceptuara veçanërisht në kuadër të ciklit të takimeve “Letërsia Shqipe dhe tranzicioni” me studiues dhe botime të tjera të fushave kulturore, si: në pikturë, në kinema, në muzikë, në teatër dhe në antroplogji.
Videogaleri:
https://www.youtube.com/watch?app=desktop&v=BnYZY8lmm2I&feature=share
https://www.youtube.com/watch?app=desktop&v=ZeVDTR8c3o0&feature=share
https://www.youtube.com/watch?app=desktop&v=KMhauCvPn0o&feature=share