Më datë 03 dhjetor 2020 u zhvillua konferenca përmbyllëse e projektit T@sk (Towards Increased Awareness, responsibility and shared quality in Social Work), e financuar nga Komisioni Evropian në kuadër të programit Erasmus+.
Konferenca u zhvillua online, ndërkohë që një grup i vogël pedagogësh nga tre universitetet shqiptare partnere në projekt, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” dhe Universiteti i Tiranës, ndoqën konferencën nga salla Aula Magna e Fakultetit të Shkencave Sociale, UT.
Pjesëmarrës në panele diskutimi ishin akademikë të nderuar nga universitetet shqiptare dhe evropiane, përfaqësues të Zyrës Erasmus+ në Shqipëri, të institucioneve shtetërore, shërbimeve sociale, shoqërisë civile si dhe studentë.
Diskutimet e mbajtura në këtë konferencë trajtuan tema në lidhje me arritjet dhe mundësitë e të ardhmes së punës sociale.
Në emër të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, konferencën e përshëndeti Rektorja prof.dr. Suzana Golemi, e cila ndau me të pranishmit arritjet e këtij projekti. Ndërkohë që koordinatori i projektit për USH, dr. Visar Dizdari kumtoi temën “Parimet e punës sociale në modelin Evropian, përshtatur për kontekstin Shqiptar”.
Gjithashtu Jasmina Bushi, përfaqësuese e “The Door-Albania”, partner i asociuar në këtë projekt, ndau me të pranishmit eksperiencën e bashkëpunimit të organizatës me Universitetin e Shkodrës. Ndërsa studentja e programit bachelor në Punë sociale, Manuela Probibaj, përcolli eksperiencën e studentëve në lidhje me këtë projekt dhe mbi të gjitha u përqendrua te përfitimet që projekti i ka sjellë atyre.
Projekt T@sk u finalizua pas një periudhe 3- vjeçare zbatimi, duke u konsideruar si mjaft i rëndësishëm për departamentin Psikologji – Punë sociale, pasi solli rritje të kualifikimit profesional të stafit akademik, përditësim të programit të studimeve në Punë sociale dhe të praktikës profesionale, përmirësim të metodave dhe infrastrukturës TIK në shërbim të mësimdhënies, shtim të fondit të literaturës së huaj bashkëkohore në ndihmë të pedagogëve dhe studentëve, shkëmbim përvojash të mira e rritje bashkëpunimi me departamentet homologe shqiptare dhe evropiane, si dhe forcim të lidhjeve me ofruesit e shërbimeve sociale në territorin e Shkodrës.