Ditën e martë, më datë 10.11.2020, Rektorja e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof.dr. Suzana Golemi, priti në një takim Ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj. Evis Kushi.
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj. Evis Kushi, shprehu konsideratën e saj për Universitetin e Shkodrës si një institucion me tradita të trashëguara brez pas brezi. Fillimi i vitit akademik në situatën e pandemisë covid-19 dhe problematikat e universitetit ishin tema e takimit.
Rektorja prof.dr.Suzana Golemi, ndër të tjera, vuri në dukje përvojën dhe traditën 60-vjeçare që ka Universiteti i Shkodrës në procesin e mësimdhënies dhe në përgatitjen e mësuesve të kualifikuar ndër vite krahas degëve të tjera. Ajo u ndal te nevoja e rikonsiderimit të mesatares tek degët e mësuesisë dhe nevojën e gjendjes së mekanizmave për nxitjen e maturantëve për të zgjedhur degët e mësuesisë, pse jo, duke ngritur nivelin e mesatares si kriter hyrës për në ciklin e dytë të studimeve. Kërkesën e saj, Rektorja e mbështeti në kriteret e cilësisë dhe synimit të universitetit për të fuqizuar degët ekzistuese, të cilat janë tashmë të njohura në të gjithë vendin e më gjerë.
Në fjalën e saj, Ministrja Kushi, u shpreh se shpreson që t’i rikthehemi auditoreve sa më parë dhe prioritet kryesor mbetet ruajtja e shëndetit dhe e konsideron vendimin e ekspertëve si vendim i duhur për të frenuar përhapjen e infeksionit. Ministrja e Arsimit, znj. Evis Kushi, nënvizoi disa mekanizma që shërbejnë për stimulimin e maturantëve të shkëlqyer që të zgjedhin degët e mësuesisë, si tarifat, duke reduktuar tarifat në raport me programet e tjera, me bursa, duke rritur pagat e mësuesve, si dhe rikonfirmoi qëndrimin e ministrisë lidhur me mesataren. Universiteti duhet të punojë edhe më fort për të promovuar programet e mësuesisë, duke rritur cilësinë dhe duke përmirësuar kurrikulat, për të nxitur maturantët më të mirë të ndjekin programet e mësuesisë, u shpreh Ministrja.
Takimi u mbyll me pyetje dhe diskutime nga pedagogët dhe studentët e Universitetit të Shkodrës të pranishëm në takim, të cilët ndër të tjera, nëvizuan nevojën e rikonsiderimit të mesatares në programet që nuk kanë drejtimin për mësuesi si dhe në ato të mësuesisë në raport me autonominë universitare.