Rektorja e Universitetit të Shkodrës, prof. dr. Suzana Golemi, ditën e premte, më datë 23.10.2020, priti në një vizitë zyrtare rektorin e Universitetit të Gjakovës, prof. as. dr. Artan Nimani, i shoqëruar nga zëvendësrektori për Buxhetin dhe infrastrukturën, prof.as.dr. Haxhi Kamberi, prof. as. dr. Labinot Berisha anëtar i Këshillit drejtues, si dhe përfaqësuesi i Marrëdhënieve me jashtë, z. Denis Spahija.
Prof.dr. Suzana Golemi, pas një përshkrimi të shkurtër të Universitetit të Shkodrës, shprehu dëshirën e bashkëpunimit me Universitetin e Gjakovës duke përfshirë shkëmbimet e stafit e të studentëve, programet e studimit mes dy institucioneve nëpërmjet organizimit të konferencave të përbashkëta, publikimeve të materialeve akademike, si dhe aplikimin në projekte të përbashkëta.
Rektori i Universitetit të Gjakovës, prof.as.dr. Artan Nimani, shprehu falënderimet për mikpritjen e ngrohtë që iu rezervua nga Universiteti i Shkodrës dhe theksoi që ky takim do të ishte një pikënisje e mbarë e bashkëpunimit duke e konsideruar Universitetin e Shkodrës si një partner strategjik për nga kultura, tradita dhe vlerat që mbart Shkodra si qytet.
Në fund të takimit, përfaqësuesit e dy institucioneve, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, e cila do të vinte në jetë edhe bashkëpunimin real midis dy qyteteve duke u bazuar edhe në traditën qindravjeçare që ka pasur qyteti i Shkodrës dhe qyteti i Gjakovës.
Në përmbyllje rektorja e Universitetit të Shkodrës, prof. dr. Suzana Golemi dhe rektori i Universitetit të Gjakovës, prof.as.dr. Artan Nimani, shkëmbyen në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje emblemat e institucioneve përkatëse.
Fotogaleri:
Rektorja e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof.dr.Suzana Golemi, nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”.