Në mjediset e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, më 20 dhe 21 tetor 2020 u zhvilluan aktivitete në kuadër të projektit “Përmirësimi i kapaciteteve të kërkimit shkencor të institucioneve shqiptare të arsimit të lartë në ruajtjen dhe restaurimin e Trashëgimisë Kulturore” – REACH.
Më datën 20.10.2020, në sallën e senatit pranë Rektoratit, u realizua një takim i grupit të punës së projektit. Gjatë tij u diskutua në lidhje me objektivat dhe aktivitetet kryesore të projektit, si dhe ecurinë e deritanishme të analizës së nevojave. Një vend të veçantë zuri diskutimi i rezultateve të pyetësorit si një domosdoshmëri për përfshirjen e aktorëve të duhur në aktivitetet e mëvonshme, nevojat reale për ruajtjen dhe restaurimin e objekteve të trashëgimisë kulturore në Shkodër e më gjerë. Gjithashtu, anëtarët e grupit të punës, u shprehën për angazhimin në varësi të specifikave, si: analizat fiziko-kimike të mostrave, përfshirjen e specialistëve në restaurim, mundësinë për ngritjen e kurseve ndërdisiplinore etj.
Më datën 21 tetor 2020 në tri sallat e Universitetit u zhvillua workshopi i planifikuar me pjesëmarrjen e të gjithë partnerëve.
Duke qenë se projekti është bashkëpunues dhe strukturor, të gjithë partnerët shqiptarë, përfshirë dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve u bënë bashkë fizikisht, ndërsa komunikimi me partnerët e tjerë kombëtarë e ndërkombëtarë u realizua online. Të gjithë pjesëmarrësit u organizuan në tri platforma, sipas kanaleve të përcaktuar nga liderët e projektit për të diskutuar në lidhje me rezultatet e pritshmëritë e projektit: Kanali 1-Aftësi dhe kompetenca, Kanali 2-Pajisje dhe logjistikë, Kanali 3–Ndikimi dhe shpërndarja e informacionit.
Takimi u hap me fjalën përshëndetëse të rektores së Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, prof. dr Suzana Golemi dhe u moderua nga koordinatori lider i projektit z. Pjetër Guralumi. Gjatë workshop-it u diskutua në lidhje me analizën e të dhënave nga znj.Mariangela Vandini dhe znj.Sara Fiorentino, partnerë të Universitetit të Bolonjës. Mbi bazën e kësaj analize u kalua në diskutimin e të dhënave për finalizimin e fazës së parë të projektit dhe premisat për bashkëpunim në fazat vijuese.
Nga ana e përfaqësuesve të Ministrisë u diskutua për mbështetjen që Ministritë, ajo e Arsimit dhe e Kulturës, do të japin për institucionet e arsimit të lartë për vënien mbi kritere shkencore të studimeve dhe trajnimeve në fushën e ruajtjes dhe restaurimit të trashëgimisë kulturore.
Nga znj.Laura Baratin e Universitetit të Urbinos dhe znj.Elisa Bonaccorso e fondacionit “Flaminia” u drejtua diskutimi i pjesëmarrësve në lidhje me vijueshmërinë dhe mbajtjen në kontakt të partnerëve për aktivitetet e projektit.