Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës në bashkëpunim me Fakultetin e Drejtësisë, më 11 nëntor 2019, organizuan në sallën e konferencave të Bibliotekës së Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, seminarin me temë “Të njohim konkurrencën dhe sfidat e saj”. Synimi i këtij seminari ishte të njohë studentët e Fakultetit të Drejtësisë dhe të vendosë në dispozicion informacione mbi fushën e konkurrencës nga ana ligjore, duke bërë kështu të mundur, rritjen e ndërgjegjësimit të tyre në lidhje me termin dhe kuptimin e konkurrencës dhe të një tregu të lirë dhe efiçent. Gjithashtu, u diskutua edhe mbi sfidat, me të cilat fusha e konkurrencës përballet në fillimin e procesit të hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian.
Seminari u fokusua në tri drejtime kryesore:
Së pari: Prezantimin e Ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar;
Së dyti: Prezantim “Konsumatori përfituesi i parë i konkurrencës + QUIZ”;
Së treti: Prezantim “Procesi i integrimit në BE dhe roli i Autoritetit të Konkurrencës”.