Departamenti i Infermierisë i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, më 21 - 22 qershor 2019, në ambientet e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, organizoi Konferencën I Shkencore Mbarëkombëtare të Shkencave Mjekësore Teknike “Edukimi, manipulimi dhe teknikat e avancuara në shkencat mjekësore teknike”.
Kjo konferencë, pas eksperiencave të mëpërparshme në departamentin e Infermierisë të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, i dha një mundësi të gjithë profesionistëve të kujdesit shëndetësor, të shpalosin punimet e tyre shkencore, duke i ballafaquar edhe me kolegët e tyre të vendeve të tjera shqipfolëse. Përmirësimi i vazhdueshëm i edukimit infermieror është shumë i rëndësishëm për procesin e Infermierisë dhe Cilësinë e Kujdesit Shëndetësor dhe hulumtimet në infermieri e bëjnë të mundur këtë gjë. Pjesëmarrja shumë e madhe nga punonjësit shëndetësorë të Kosovës dhe OIK, tregoi më së miri, interesin e lartë dhe lidhjen e fortë që tashmë e kemi krijuar në vite. Pjesëmarrja e të gjitha vendeve shqipfolëse me punimet dhe mendimet e tyre, solli një realitet divers dhe bëri të mundur t`i shohim problemet më në detaje. Rrjetëzimi është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e Infermierisë në vendet shqipfolëse.
Ndryshimet pozitive që kërkon koha, si domosdoshmëri për t`u pranuar nga Bashkimi Evropian, kjo konferencë i tregoi më së miri. U konstatua një interes shumë i madh dhe një pjesëmarrje masive nga profesionistët e shëndetësisë. Gjatë shpalosjes së punimeve u zhvilluan diskutime të frytshme dhe interesante mes lektorëve dhe pjesëmarrësve.
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, është një promotor i ndryshimeve pozitive që duhet të kenë Shkencat Mjekësore Teknike, si domosdoshmëri për t`u përballur me tregun vendas dhe të huaj, në mënyrë që të kërkohemi dhe jo të kërkojmë.