Më 19 maj 2023, Departamenti i Gjuhësisë, në Fakultetin e Shkencave Shoqërore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, organizoi konferencën shkencore me temë “Pasqyrat e një qyteti (Shkodra në veprën e Koliqit)”, në përkujtim të 120-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ernest Koliqi.
Konferenca u hap nga prof. Orjeta Baja, Drejtore e Departamentit të Gjuhësisë, e cila vuri theksin tek veprimtaria e pasur shumëdimensionale e Koliqit dhe profili i tij identitar, kulturor, shpirtëror e ligjërimor në lidhje me vendlindjen e tij, Shkodrën.
Në vijim, prof. Suzana Golemi, Rektore e Universitetit të Shkodrës, mbajti një Fjalë përshëndetëse, ku veçoi se Koliqi ishte shembull i shkëlqyer i jetësimit të zakoneve, traditës e historisë së Shkodrës përmes krijimtarisë së tij.
Nderuan me praninë e tyre përfaqësues të familjes Koliqi, mes pjesëmarrësish të shumtë në sallë.
Në konferencë u mbajtën 8 kumtesa nga pedagogë të Departamenteve të Gjuhësisë dhe të Letërsisë: prof. dr. Mimoza Priku – dr. Anisa Kosteri; prof. as. dr. Orjeta Baja – prof. dr. Alfred Çapaliku; prof. dr. Tefë Topalli – doc. Bora Logu; prof. dr. Ledri Kurti; prof. as. dr. Arben Prendi; prof. as. dr. Rrezarta Draçini; dr. Rezearta Murati – dr. Merita Hysa; dr. Erzen Koperaj – dr. Aida Uruçi, të cilët evidentuan vlera gjuhësore e letrare nga krijimtaria e personalitetit poliedrik, Ernest Koliqi
Aktiviteti erdhi i konceptuar shkencor e artistik, në bashkëpunim edhe me Departamentin e Letërsisë dhe teatrin “Migjeni”. Ishin aktorët e këtij teatri, zj. Rajmonda Marku e z. Astrit Fani, që interpretuan pjesë nga krijimtaria e Koliqit, duke transmetuar emocion të thellë në sallë.
Me shumë interes u ndoq edhe kolazhi “Shkodra në veprën e Koliqit përmes fotove të Marubit”.
Aktiviteti u mbyll nga prof. Rezearta Murati, pedagoge e Departamentit të Gjuhësisë.
Fotogaleri:
Konferenca shkencore: Pasqyrat e një qyteti (Shkodra në veprën e Koliqit)