• Ankesa

Në Bibliotekën Shkencore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u zhvillua aktiviteti përmbyllës i projektit të Qendrës së Studimeve Albanologjike, financuar nga AKKSHI dhe mbështetur nga Universiteti i Shkodrës.

Në kuadër të aktivitetit u çel një ekspozitë me periodikë të botuar në Shkodër gjatë viteve 1879–1920 dhe u prezantua monografia “Shtypi në Shkodër nga fillimet e tij deri në vitin 1920”, një nga rezultatet kryesore të projektit.

Në realizimin e projektit është angazhuar një grup studiuesish të Qendrës së Studimeve Albanologjike: prof. dr. Artan Haxhi, prof. as. dr. Zamira Shkreli, prof. as. dr. Ermira Alija, prof. dr. Alfred Çapaliku, dr. Erzen Koperaj, dr. Isida Hoxha, drejtuese e projektit, si dhe prof. as. dr. Karmen Lazri nga Romanistika.

Monografia, e mbështetur në studimin e 39 organeve periodike, sjell një pasqyrë të zhvillimit të shtypit shkodran dhe të ideve, debateve e zhvillimeve politike, kulturore e shoqërore të kohës.

Aktiviteti u përshëndet nga Rektorja e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, e cila vlerësoi punën e studiuesve dhe përgëzoi ekipin për këtë kontribut të rëndësishëm në studimin dhe dokumentimin e trashëgimisë së shtypit shkodran.

Kjo është një tjetër dëshmi e rëndësisë së kërkimit shkencor dhe e pasurisë së trashëgimisë kulturore të Shkodrës.