Media 2040 Fuqizimi i avokuesve të rinj për lirinë e medias në Ballkanin Perëndimor

Studentët e programit të studimit Gazetari-Komunikim të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” kanë zhvilluar në qytetet e Shkodrës dhe Lezhës aksione në rrugë, ku kanë biseduar me qytetarët lidhur me situatën e medias në Shqipëri dhe të ardhmen e saj.

Ata kanë dëgjuar mendimet e qytetarëve dhe iu kanë folur atyre dhe shpërndarë materiale promovuese mbi vizionin e tyre për median, rëndësinë e lirisë së medias për audiencën dhe vetë gazetarët, rrezikun nga dezinformimi dhe përdorimi i inteligjencës artificiale etj.

Aksionet janë organizuar në kuadër të projektit “Media 2040: Fuqizimi i avokuesve të rinj për lirinë e medias në Ballkanin Perëndimor”, i cili realizohet nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe pesë universitete të tjera të rajonit, me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Beograd përmes Fondit Holandez për Bashkëpunim Rajonal – programi MATRA.