Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”

Më 26 prill 2024 u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Marrëveshja u nënshkrua nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Qerim Qerimi, dhe rektorja e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Rajmonda Këçira.

Rektorët e të dy universiteteve, përmes nënshkrimit të marrëveshjes u angazhuan për të thelluar bashkëpunimin, si dhe për të rritur përfitimet e ndërsjella në fushën akademike, atë të kërkimit shkencor dhe të komunikimit me studentët. Të dy Universitetet duke pasur në fokus ndërkombëtarizimin do të punojnë me përkushtim për përmbushjen e kësaj marrëveshjeje edhe në planin rajonal duke rritur bashkëpunimin edhe me Universitete të tjera në Ballkanin Perëndimor.